Një pjesë e rrugës ‘Gazmend Zajmi’ dje në Prishtinë, është vërshuar nga uji i madh, pas reshjeve të shumta. Qytetarët e kësaj pjese të Prishtinës i ka shqetësuar shumë uji që ka kaluar në këtë rrugë, pasi që edhe ju ka sjell shumë probleme brenda shtëpive, shkruan Gazeta Metro.
Dje gjatë orëve të mbrëmjes në vendin tonë ka pasur reshje të shoqëruara me rrebeshe dhe bubullima. Në disa rajone ka pasur edhe breshër.
Nga rebeshet e shiut u godit edhe kryeqyteti, ku sasi e madhe e ujit ka shkaktuar dëme të mëdha, në disa rrugë dhe jo vetëm.
Një qytetar nga rruga ‘Gazmend Zajmi’ ka publikuar një video në grupin ‘Network Prishtina’, ku shihet se si uji rrjedh në këtë rrugë, me një sasi të madhe. Ai madje ka injoruar edhe kryetarin e Prishtinës, duke e quajtur këtë rrjedhë të ujit, si ‘lumi i Shpend Ahmetit’.
Kjo rrugë është duke u ndërtuar tash e 6 muaj dhe nuk dihet ende se kur do të përfundojë.
Sot në Kosovë moti do të jetë jo shumë i ngrohtë. Në mëngjes intervale me diell, e përgjatë viseve të ulëta mundësi për mjegull/mjegullinë.
Nga mesdita dhe përgjatë mbrëmjes priten zhvillime të vranësirave, me rrebeshe shiu dhe bubullima. Nëpër lokalitete me mundësi edhe për breshër.
Temperaturat në vise të ulëta 16 gradë Celsius deri 26 gradë Celsius, e në vise malore 12 gradë Celsius deri 19 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 2-8m/s. Indeksi UV: 7. /gazetametro.net