Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të takohet sot në ora 15:00 me partnerët e koalicionit qeverisës.

Temë diskutimi me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, atë të AAK-së Ramush Haradinaj dhe kreun e NISMA Fatmir Limaj, do të jenë zhvillimet e deritashme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e radhës në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator.

Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe çështje të tjera në funksion të realizimit të programit qeverisës të dakorduar me partnerët e koalicionit.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se bashkë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe atë të Nismës, Fatmir Limaj, do të bisedohet për zhvillimet e deritashme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e Washingtonit.

“Në orën 11, bashkë me ministrat përkatës, takohem me të gjithë Kryetarët e Komunave për tu dakorduar me ta për mbështetjen financiare të Qeverisë ndaj komunave për menaxhimin e pandemisë, përgatitjet për fillimin e mësimit dhe analizimin e efektit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19”.

“Ndërkaq, në orën 15:00 takohem me Mustafa, Haradinaj dhe Limaj për t’i informuar për zhvillimet e deritashme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e Uashingtonit, si dhe për çështje të tjera në funksion të realizimit të programit qeverisës të dakorduar me të gjithë partnerët e koalicionit”, ka shkruar Hoti.