Kujdes me çka pastroni: Preparatet dezinfektuese me metanol janë të rrezikshme për shëndetin

Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) ka paralajmëruar publikun që preparate të caktuara dezinfektuese me alkool mund të përmbajnë sasi të rrezikshme metanoli

Metanoli apo “alkooli i drurit” përdoret shpesh për prodhimin e karburanteve apo antifrizave dhe mund të jetë i rrezikshëm kur nëpërmjet lëkurës absorbohet në organizëm, por është i rrezikshëm edhe nëse pihet, transmeton Telegrafi.

Agjencia në komunikatë ka theksuar që ka dhënë paralajmërimin në importim në mënyrë që të pengohet hyrja e preparateve të tilla në SHBA, si edhe që po bashkëpunon me tregtarët dhe prodhuesit në tërheqjen e sërishme të produktit dhe heqjen nga raftet e tregtisë.

Këtë paralajmërim Agjencia e ka bërë pasi që është rritur numri i personave në qendrat shëndetësore, të cilët kanë mbetur të verbër, kanë pasur probleme me zemrën apo madje kanë vdekur pas përdorimit të këtyre produkteve.

Ekspozimi i metanolit mund të çojë në nauze, të vjella, dhimbje koke, turbullira në shikim, verbëri e përhershme, gjendje kome, dëmtim i përhershëm i sistemit nervor ose vdekje.

“Konsumatorët të cilët kanë qenë të ekspozuar ndaj sanitizuesve të duarve që përmbajnë metanol duhet të kërkojnë trajtim të menjëhershëm, i cili është thelbësor për kthimin e mundshëm të efekteve toksike të helmimit të metanolit”, tha agjencia.

Sipas Agjencisë Amerikane të Ushqimit, produktet gjithashtu duhet të shmangen kur metanoli është vetëm një përqindje e vogël e përbërjes.

Sipas FDA, fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar dhe se edhe marrja e ulët e produkteve të tilla mund të çojë në vdekje. /Telegrafi/

Exit mobile version