Makina më e shpejtë në botë është prezantuar në Dubai Motor Show këtë javë. Një makinë tërësisht elektrike, Aspark Owl, është në gjendje që të arrijë shpejtësinë e 100 km në orë në vetëm 1.69 sekonda dhe për këtë jep garanci prodhuesi japonez i makinave, Aspark.
Mjeti elektrik lë pas kështu rivalë të tjerë si Concept Two i Rimac dhe Roadsterin e Teslas, që respektivisht iu duhen 1.85 sekonda dhe 1.9 sekonda për të arritur të njëjtën shpejtësi. Owl, është prezantuar fillimisht si një prototip në 2017, por versioni final e bëri premierën botërore në shoun prestigjios të makinave në Dubai.
Përveç thyerjes së rekordit për arritjen e shpejtësisë më të madhe në kohë më të shkurtër, Aspark, po ashtu pretendon se kjo është e para makinë japoneze tërësisht elektrike, një supermakinë e vërtetë në të gjitha kuptimet.