Viti 2020 ishte fatal për gjashtë gra të Kosovës. Ato u vranë kryesisht nga dhuna brenda familjes që rezultoi me pasoja fatale për to. Tri prej tyre u vranë në qytetin e Gjilanit, ndërsa një grua u vra në Ferizaj. Që të dyja u cilësuan nga organet e rendit si “vrasje të rënda”. E dy gra të tjera gjatë vitit 2020 u vranë në Pejë e Prizren.
Kështu bëhet e ditur nga të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës për ‘Objektivin’.
E, përgjatë katër viteve të fundit janë vrarë gjithsej 25 gra, disa nga bashkëshortët e të tjerat ende në rrethana të paqarta.
Nga totali i këtyre vrasjeve, policia e Kosovës 12 prej tyre i ka cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa, 13 të tjerave iu është referuar vetëm si “vrasje”.
Derisa, dy rajonet me më së shumti vrasje të raportuara gjatë katër viteve të fundit janë Prishtina dhe Ferizaj me nga 5 raste të grave të vrara.
Lista e grave të vrara pasohet nga Gjakova me 4 vrasje, në Pejë, Gjilan e Mitrovicë e Jugut janë vrarë nga 3 gra dhe 2 gra tjera janë vrarë në qytetin e Prizrenit.
Ndërkohë, në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i përgjithshëm i grave të vrara që nga paslufta e fundit.
Megjithëkëtë, vendimet e gjykatave për disa nga këto vrasje kanë zgjuar reagime të shumta të shoqërisë civile të cilat i kanë konsideruar ato të ulëta.
Ndëshkimi i autorëve të vrasjes së grave dhe vajzave, mbetet një çështje e nxehtë që shkakton polemika për prokuroritë dhe gjykatat.
Së fundi Gjykata Themelore e Gjakovës ia uli dënimin Pjetër Ndrecajt, burrit që vrau bashkëshorten e tij, Valbona Markut dhe vajzën e tyre të mitur, Klara Ndrecajt.
Ai u dënua me 24 vjet e 6 muaj burgim.
E dënimi më i vogël prej 12 viteve iu shqiptua Nebih Berishës në prill të vitit 2017 për vrasjen e bashkëshortes së tij, Zejnepe Bytyqit.
Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thotë se kjo organizatë ka hasur në shumë vepra penale që nuk janë kualifikuar si duhet nga Prokuroria.
“P.sh kemi një rast kur tentim vrasjen e kanë paraqitur si dhunë në familje, si pasojë e kësaj kryesi i veprës penale është dënuar vetëm me 7 muaj burgim me kusht. Pra, roli i prokurorisë është faktor kyç që drejtësia të triumfojë për gratë, për secilën grua të plagosur, dhunuar e të vrarë”, thotë Kurti për Objektivin.
Sipas saj me shqiptimin e dënimit të fundit për të akuzuarin Pjetër Ndrecaj, institucionet në vend kanë kryer dy herë krim.
“Ulja e dënimit të Pjetër Ndrecaj për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij na ka treguar qartë se sa funksionon drejtësia për gratë e vrara në Kosovë. Përderisa nuk kishte rrethana lehtësuese dhe ishte krim i dyfishtë, për neve si Rrjet i Grave të Kosovës, ky vendim është i papranueshëm”, u shpreh Kurti në fund.