Vejvoda: Shkëmbimi i territoreve përfundimisht nuk është në tryezë

Mundësia e shkëmbimit të territoreve midis Beogradit dhe Prishtinës nuk është në tryezë. Ajo nuk është më pjesë e diskutimeve, megjithëse mund të ketë qenë më herët, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ivan Vejvoda, këshilltar shkencor në Institutin për Shkencat Humane (IWM) në Vjenë.

Vejvoda, që ka qenë edhe nënpresident për programet e Fondit Marshall të Shteteve të Bashkuara, thotë se ai nuk beson se qeveria serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të gatshëm të nënshkruajnë një marrëveshje në këtë moment, që do të përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Siç e dimë të gjithë, dialogu filloi në mars të vitit 2011. Ka pasur rënie dhe ngritje gjatë kësaj periudhe. Suksesi kryesor natyrisht se ka qenë marrëveshja e prillit e vitit 2013. Dhe, siç e dimë edhe NATO-ja e dha mbështetjen e saj…Të dyja palët tani duhet të zgjedhin nëse duan të bëhen sikur India dhe Pakistani, të cilat e kanë një situatë të pazgjidhur qe 70 vite. Ne e dimë sa shumë njerëz kanë vuajtur. Ose në Qipro ku për 45 vjet nuk po arrijnë t’i zgjidhin problemet. Tash janë bërë 20 vite që nga përfundimi i bombardimeve më 1999 (nga ana e NATO-s në ish-Jugosllavi v.j), dhe kjo nënkupton se tashmë kemi shpenzuar mjaft kohë me një situatë të pazgjidhur, e cila po t’i kthehemi aspektit social dhe ekonomik, nënkupton se shumë investitorë nuk po e shikojnë këtë rajon sepse shohin një situatë të pazgjidhur. Mendoj se nëse do të ketë një qasje racionale, liderët e Prishtinës dhe Beogradit do të bënin gjithçka për të gjetur një zgjidhje dhe do t’ia vendosnin pikën kësaj çështjeje në mënyrë që rajoni përfundimisht të arrijë stabilitetin dhe paqen e plotë”, tha ai.

Vejvoda ka folur edhe për takimin e paralajmëruar në Washginton.

“Mendoj se do të jetë një hap në drejtimin e duhur. Që nga paralajmërimi për mbajtjen e takimit, shumë analistë kanë thënë se nuk duhet të pritet shumë pasi bisedimet do të kenë në fokus çështjet ekonomike. Nuk duhet të minimizojmë rëndësinë e bisedimeve për çështje ekonomike pasi të gjithë e dimë se niveli i pagës mesatare në vendet tona është shumë i ulët dhe në interesin thelbësor të njerzve është të shohin rritjen e standardit të tyre”.

Ai po ashtu ka folur edhe rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve.

“Nuk mendoj se është në tryezë të diskutimeve. Nga e tëra që shohim muajt e kaluar ky opsion nuk ekziston më edhe nëse ka qenë më parë. Natyrisht, shumë skenarë janë shtjelluar gjatë 20 viteve të kaluara. Kjo është në fakt ajo që bëjnë qeveritë, nga Uashingtoni deri në Berlin, ata shikojnë opsione dhe shikojnë se çfarë është e mundur të zbatohet. Pra, për mendimin tim kjo ide përfundimisht është jashtë tryezës, sepse po shikohet një zgjidhje evropiane, ku të dyja palët sikurse në çdo kompromis do të ishin të kënaqura, ose pjesërisht të kënaqura. Pra, ne po shikojmë në një zgjidhje që në fakt do të ishte e pranueshme që nuk do të përfshinte ndonjë çështje territoriale”, tha ai.

Exit mobile version