Aeroplani i parë komercial me rrymë e ka realizuar me sukses fluturimin e parë testues. Ai u ngrit në qiell në qytetin kanadez të Vancouver-it dhe qëndroi në ajër për 15 minuta.
“Kjo dëshmon se aviacioni komercial në formën tërësisht elektrike mund të funksionojë”, tha Roei Ganzarski, shef ekzekutiv i kompanisë inxhinierike australiane, “Magnix”.
Kjo kompani e ka prodhuar motorin e këtij aeroplani dhe ka punuar në bashkëpunuar me kompaninë “Harbour Air”, e cila transporton gjysmë milioni njerëz nëpër pjesë të ndryshme të Kanadasë.
Ganzarski tha se kjo teknologji ofron kursime të konsiderueshme të fluturimeve dhe nuk e ndot aspak mjedisin. “Ky sukses e shënon fillimin e epokës së aviacionit elektrik”, shtoi ai.
Aviacioni civil është njëri ndër prodhuesit kryesorë të gazrave të karbonit për shkak të rritjes së numrit të njerëzve që udhëtojnë me transport ajror, ndërsa teknologjia e re është zhvilluar ngadalë në krahasim me shtimin e aeroplanëve.
Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit i ka inkurajuar kompanitë ajrore që të përdorin më shumë aeroplanë që e ndotin më pak mjedisin dhe që janë të ndërtuar nga materialet e lehta.
Aeroplani i testuar në Kanada duhet të testohet përsëri për t’u vërtetuar si i sigurt dhe i besueshëm për transportimin e udhëtarëve. Përpos kësaj, motori elektrik i tij duhet të miratohet dhe certifikohet për përdorim nga rregullatorët, shkruan “The Guardian”, Gazeta Express.